Në vijim të diskutimeve nga të ftuarit në emisionin e lartpërmendur, janë ngritur disa çështje që lidhen me sigurinë nga zjarri, përfshirë investimet në Njësitë e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, si dhe përgjegjësitë e autoriteteve kompetente për mbrojtjen nga zjarri.
Andaj, AME ndjen nevojën për të ofruar një sqarim mbi këto çështje, me qëllim informimin e publikut dhe shmangien e keqkuptimeve.
Bazuar në Ligjin Nr.08/L-261 për mbrojtje nga zjarri, AME, jep pëlqimin në lokacion dhe në dokumentacion investivo teknik për objektet e kategorisë së parë dhe të dytë të rrezikshmërisë, të cilat janë kusht për marrjen e kushteve ndërtimore , gjegjësisht lejes ndërtimore.
Kurse bazuar në ligjin e lart cekur, mbikëqyrjen dhe inspektimin për zbatimin e masave për mbrojtje nga zjarri në objekte, pjesë të objekteve, pajisje, stabilimenteve në territorin e Republikës së Kosovës e kryejnë inspektorët për mbrojtje nga zjarri në kuadër të AME-së.
Çështja e punësimit në Njësitë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, çdo kërkesë për punësim në këto njësi adresohet nga niveli lokal dhe procedohet pa asnjë pengesë. Vetëm gjatë muajit shkurt të vitit 2025 janë punësuar 56 zjarrfikës në nivel vendi, përfshirë 4 zjarrfikës në Komunën e Suharekës, aq sa ka qenë kërkesa nga vetë komuna. Është e rëndësishme të theksohet se buxheti për këto njësi menaxhohet ende nga niveli lokal, dhe planifikimi i rekrutimeve zhvillohet në përputhje me buxhetin e miratuar nga to.
Deklaratat se zjarrfikësit nuk kanë uniforma dhe pajisje nuk qëndrojnë, AME ka realizuar investime të rëndësishme në vitet e fundit, përfshirë:
Ndërtimin dhe renovimin e objekteve të Njësive Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në disa komuna, furnizimin me pajisje moderne, duke përfshirë uniforma, aparate për frymëmarrje kundër zjarrit dhe mjete të tjera të domosdoshme, furnizimin me kamionë të specializuar për ndërhyrje në ndërtesa të larta.
AME mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjitha palët e interesuara për të adresuar sfidat në fushën e mbrojtjes nga zjarri dhe për të ofruar një shërbim cilësor për qytetarët. Në këtë kuptim, Agjencia bën thirrje për një qasje konstruktive dhe për shmangien e deklaratave publike që mund të krijojnë pasiguri apo keqkuptime në opinionin publik.
AME riafirmon përkushtimin e saj për sigurinë dhe efikasitetin në menaxhimin e emergjencave dhe do të vazhdojë të ndërmarrë hapa konkretë për fuqizimin e kapaciteteve të zjarrfikësve në nivel vendi, me synimin për parandalimin dhe minimizimin e rreziqeve nga zjarret dhe fatkeqësitë tjera natyrore.